|
Kopshti Zoologjik, i vetmi park zoologjik publik në Shqipëri, është
ndërtuar në vitet 1960-1961, sipas një projekti të hartuar nga
specialistë të huaj. Fillimisht është ndërtuar galeria qëndrore, ku
gjatë viteve janë ekspozuar kafshë si: rriqebulli, ujku, dhelpra,
sorkadhja, shqarthi, qelbësi, ketri, baldosa, kaprolli, gjarpëri, etj,
si dhe shpendët si: shqiponja, pelikani, kalqyqja, huta, skifteri, bufi,
lejleku, thëllënxa, shkurtëza, fazani, korbi, etj.
Më pas në Kopshtin
Zoologjik u ndërtuan edhe basenet ujore (liqenet e vogla ku u ekspozuan
shpendë si: mjellmat, rosat e egra dhe u kultivuan peshku i kuq dhe
krapi. Kopshti Zoologjik u pasurua me pavionin e zogjve, ku rriteshin
për ekspozim si dhe tregëtim zogj si: kanarina, pëllumba të butë,
gardelina, papagaj, të cilët u pasuruan me pavionet e pallojve dhe
fazanëve.
Që prej nisjes së
funksionimit dhe deri në fillim të tranzicionit në vitin 1990, Kopshti
Zoologjik dallohej për trajtimin dhe ekspozimin e shumëllojshmërisë së
kafshëve dhe shpendëve nga zona të vendit, në mirëmbajtjen e gjelbërimit
në tërësi dhe të liqeneve, bisedkave, urave dhe çesmave dekorative në
veçanti. Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 32 lloje kafshësh dhe 12
lloje shpendësh, ndërsa është investuar shumë pak për pasurimin e tij me
kafshë dhe shpendë ekzotikë.
Pas viteve 1990, për
mungesë fondesh, kujdesi dhe vëmendje filloi degradimi i Kopshtit
Zoologjik. Gjatë viteve 1994-1995 u krye rikonstruksioni i galerisë
qëndrore për të cilën u shpenzuan 350.000 $. Falë këtij investimi ky
pavion u bë më funksional dhe i përshtatshëm për qëndrimin dhe
ekspozimin e kafshëve. Gjatë kësaj kohe u sollën nga jashtë kafshë të
reja si: luani, tigri, majmuni dhe lamat. Në vitin 1995 filloi ndërtimi
i guvës së arinjve që përfundoi në 2007 dhe u popullua me tre arinj. Në
1998 u krye rikonstruksioni i pavionit të pallojve tek i cili strehohen
lamat.
Pas këtyre viteve nisi
sërish degradimi i Kopshtit Zoologjik, investime të pakta, i harruar nga
të gjithë dhe me kafshë “të plakura” që rëndoheshin dita ditës.
Me krijimin e Agjencisë
së Parqeve dhe Rekreacionit, Kopshtit Zoologjik (Tirana Zoo Park) ju
rikthye sërish vëmendja e munguar prej vitesh. Filloi puna për
rehabilitimin e këtij territori, riparimin e stolave e gjithçka që ishte
në gjëndje të mjerueshme. Në qershor këtij kopshti iu shtua dhe Shtëpiza
e Lepujve, kaq e dashur për vizitorët e vegjël.
Burimi: faqja zyrtare e
Agjencisë së parqeve dhe rekreacionit (2017)
|
|